Italia është një nga shtetet më prekura nga koronavirusi në botë. Deri më tani vendi fqinj numëron 175,925 të infektuar dhe 23,227 viktima. Së fundmi, fuqia e epidemisë në vend është drejt rënies dhe kryetari i bashkisë së Bergamos ka dhënë edhe një tjetër lajm të mirë.
Në llogarinë e tij personale në Facebook, Giorgio Gori ka publikuar një foto që përcjell shpresë.
Në foto shihet kisha e varrezave në Bergamo që më në fund është bosh, pa arkivole me trupa të pajetë, për herë të parë që nga nisja e epidemisë në vend.
Bashkë me foton, Gori shkruan:
“Kisha e varrezave në Bergamo, më në fund bosh.”
Javët e fundit kisha e varrezave, ishte e mbushur me arkivole për shkak të numrit të madh të viktimave nga koronavirusi në këtë qytet.
Kujtojmë këtu se brenda 24 orëve, si pasojë e koronavirusit në Itali kanë humbur jetën 482 persona. Të shtunën rezulton se janë regjistruar 93 viktima më pak, krahasuar me një ditë më parë.