Në aktivitetin për konsolidimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës së Lartë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përsëriti edhe njëherë thirrjen për plotësimin sa më shpejt të vendeve vakante në këto institucione të drejtësisë që puna për drejtësinë e re të mos ndalet e të ecë sa më shpejt.
Në lidhje me reformën në drejtësi, diplomatja amerikane u shpreh se ajo me të vërtetë nuk ka qenë e lehtë dhe e përsosur, por që rezultatet kanë nisur të ndjehen nga dita në ditë.
“Reforma nuk është e lehtë, nuk është e shpeshtë, nuk është e përsosur, por po shohim rezultate.
Shikoni sa lart keni arritur. Katër vjet më parë ishte vetëm një gjyqtar. Ndërsa sot në gjykatë mungojnë vetëm 3 gjyqtarë.
Ne mund ta kuptojmë frustrimin e popullit shqiptar. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Kemi nevojë ta bëjmë zero numrin e çështjeve të prapambetura. Plotësojeni gjykatën. Vendosi përparësi për çështjet urgjente. Njerëzit duan më shumë. SHBA-ja është në kahun e popullit shqiptar. Ne duhet të festojmë për përparimin që kemi bërë së bashku. Çelësi është të qëndrojmë drejt qëllimit. Partnerët tuaj evropianë e amerikanë duan që ju të keni sukses”, u shpreh ambasadorja.
Në lidhje me përfundimin e mandatit të saj, Yuri Kim u shpreh se do të jetë në Shqipëri dhe pak më gjatë pa dhënë më shumë detaje.
“Unë kam 3 vite në Shqipëri dhe do të jem këtu për ca më gjatë. Duhet të ndiejmë empati dhe respekt për historinë që ka kaluar ky vend, për përvojën e popullit shqiptar. Vendimet për drejtësinë na ndikon të gjithëve. Të gjithë njihen me njëri-tjetrin”, përfundoi Yuri Kim.