KRYESORE

Shqipëria heq të gjitha pikat e kuqe nga “Muri i Zgjerimit” në Bruksel

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë më 17 nëntor në Bruksel Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, e cila do të shënojë hapjen e negociatave mbi grup-kapitullin e fundit të procesit të anëtarësimit: Burimet, bujqësia dhe kohezioni.

Kjo nënkupton që Shqipëria ka hequr të gjitha pikat e kuqe nga “Muri i Zgjerimit” në Bruksel.

Gjatë një vizite në Bruksel me rastin e hapjes së kapitujve të Agjendës së Gjelbër më 16 shtator, Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, i prezantoi kryeministrit Edi Rama “Murin e Zgjerimit”, një tabelë ku tregohej progresi në procesin e zgjerimit të BE-së për Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate.

“Ky është ‘Muri i zgjerimit’. Shqipëria ka ecur kaq shpejt. Kur erdha në dhjetor, thuajse gjithçka ishte me të kuqe. E kuqja tregon që nuk është hapur ende, e verdha që është hapur dhe e gjelbra që është mbyllur”, tha Kos në atë takim.

Me hapjen e kapitujve të fundit, Shqipëria ka tejkaluar fazën e hapjes për të gjithë kapitujt.

Takimi i 17 nëntorit do të përfshijë hapjen e pesë kapitujve: Kapitulli 11 (Bujqësia dhe zhvillimi rural), Kapitulli 12 (Siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), Kapitulli 13 (Peshkimi dhe akuakultura), Kapitulli 22 (Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe Kapitulli 33 (Dispozitat financiare dhe buxhetore). Ky është grup-kapitulli i fundit që vendi ynë hap me Bashkimin Evropian, duke përmbyllur fazën e parë të negociatave drejt anëtarësimit të plotë në BE.

“Shqipëria e arriti të pamendueshmen, të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh, rekord absolut në procesin e integrimeve europiane”, tha një ditë më parë kryeministri Edi Rama.

Komisionerja për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Marta Kos, gjatë publikimit të progresraportit 2025 të Komisionit Evropian vlerësoi se “Shqipëria ka bërë progres të paprecedentë që prej konferencës ndërqeveritare në tetor 2024”.

“Ky rezultat i jashtëzakonshëm është një shenjë e qartë e angazhimit të fuqishëm politik të Shqipërisë dhe aspiratës europiane të shoqërisë së këtij vendi, ku 91% e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në BE”, ka theksuar Kos.

Konferenca e 7-të Ndërqeveritare vjen pas një procesi të gjatë e të strukturuar negociatash që ka përfshirë hapjen e gjashtë grup-kapitujve të mëparshëm.

Konferenca e parë u mbajt më 19 korrik 2022 dhe shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë, pas vendimit të Këshillit Evropian për të nisur procesin e pranimit.

Konferenca e dytë, më 15 tetor 2024, hapi negociatat për grupin “Themeloret”, që përfshin kapitujt mbi funksionimin e institucioneve demokratike, gjyqësorin, të drejtat themelore dhe kontrollin financiar.

Konferenca e tretë, më 17 dhjetor 2024, iu kushtua “Marrëdhënieve të Jashtme”, përfshirë kapitujt mbi politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Konferenca e katërt, më 14 prill 2025, hapi negociatat për grup-kapitullin “Tregu i Brendshëm”, duke përfshirë lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit dhe punëtorëve.

Konferenca e pestë, më 22 maj 2025, u përqendrua te “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, përfshirë kapitujt mbi taksat, politikat sociale, arsimin dhe doganat.

Konferenca e gjashtë, më 16 shtator 2025, trajtoi grup-kapitullin “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, që përfshiu energjinë, transportin, mjedisin dhe klimën.

E shtata është konferenca që përmbyll hapjen e të gjitha grup-kapitujve të negociatave dhe pritet të shënojë një moment kyç në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe në përgatitjen për fazën përfundimtare të integrimit. /Atsh


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • FOTO&VIDEO

Shfaqet në Gjirin e Orikumit një nga gjitarët më të rallë në botë

Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…

3 orë ago
  • BOTA

Vrasja e 18-vjeçarit Henry Nowak, Starmer akuza të forta për Elon Musk pas protestave: Ka nxitur përçarje

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…

13 orë ago
  • POLITIKE

Spaho: Vetëm një i leshtë mund të mendojë që kjo protestë nuk është e manipuluar, është komplot kundër vendit

Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…

17 orë ago
  • POLITIKE

“Serbia si Rusia, ata si vendet baltike”, “Jeta e Vuçiç në rrezik”, ai shkon në Mal të zi: Do them gjithçka

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…

18 orë ago
  • KRYESORE

Katy Perry, emri i parë i madh në “Sunny Hillin” e sivjetmë

Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…

21 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Vrau efektivin e “Shqiponjave”, autori me të shkuar kriminale, një vit më parë tërhoqi zvarrë me kalë një person

Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…

1 ditë ago