Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha ka mbështetur pjesëmarrjen virtuale të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në takimin e 24 gushtit në Këshillin e Sigurimit.
Kjo, pas kundërshtimit të Vasily Nebenzya-s, Përfaqësuesit të Përhershëm të Federatës Ruse në Kombet e Bashkuara.
Ambasadori rus ishte kundër pjesëmarrjes virtuale të presidentit ukrainas në mbledhjen e KS-së, duke thënë se shtetet anëtare duhet të flasin ‘ballë për ballë’.
“I dëgjuam me vëmendje argumentet e ambasadorit rus dhe nuk bie dakord me to dhe lërmëni të shpjegohem”, u shpreh fillimisht Hoxha.
Sipas tij, situata në terren në Ukrainë nuk ka ndryshuar dhe as nuk është përmirësuar.
Ai kujtoi se po përballemi me një situatë të tillë sepse “një lider i zgjedhur në mënyrë demokratike i një shteti sovran, anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk mund ta lërë vendin për arsye përtej vullnetit të tij”.
“Ne i njohim të gjithë arsyet e vërteta, pasi nuk ka ndryshuar asgjë nga kushtet e dy herëve në të cilat Zelensky ka adresuar virtualisht në KS”, kujtoi diplomati shqiptar.
Në një votim procedural, 13 nga 15 vende votuan që Zelensky duhet të lejohet të flasë virtualisht.
“Rusia e ka vënë botën në prag të katastrofës së rrezatimit”, deklaroi fillimisht Zelensky para Këshillit të Sigurimit.
Madje, presidenti ukrainas akuzoi Rusinë se ka lëshuar raketa kundër stacionit hekurudhor në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës.
Zelensky shtoi gjithashtu para KS-së se misioni i IAEA-s duhet të marrë “kontrollin e përhershëm” të termocentralit bërthamor në Zaporizhzhia, i cili aktualisht është i pushtuar nga forcat ruse.
Të mërkurën e 24 gushtit bëhen 6 muaj që kur Rusia pushtoi Ukrainën, më 24 shkurt, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një seancë urgjente.
Shefi i OKB-së Guterres e quajti “ditën më të trishtuar” të mandatit të tij.
Guterres nënvizoi se ka mjaftueshëm ushqim në botë, por problemi është shpërndarja e pabarabartë.
“Marrja e më shumë ushqimeve nga Ukraina dhe Rusia është jetike. I përgëzoj palët për angazhimin e tyre në këtë proces dhe bëj thirrje për zgjatjen e tij”, theksoi sekretari i përgjithshëm.