Në Samitin Global të Inovacionit që po zhvillohet në Kinë, vëmendjen e ka tërhequr shqiptarja Serena Leka, pas prezantimit të produktit të krijuar nga kompania ku ajo bën pjesë.
25-vjeçarja rrëmbeu çmimin e parë në mesin e dhjetëra konkurrentëve, në këtë event ndërkombëtar të rëndësishëm në fushën e inovacionit për kompanitë start-up.
Kompania e saj “Cellugy” krijoi një produkt, që realizohet nga mbetjet ushqimore të sheqerit, i cili është premtues për të ardhmen në zëvendësimin e paketimit të plastikës, si në industrinë ushqimore, në atë të kozmetikës dhe më tej.
“Ne mbledhim fruta ose ushqime të tjera të cilat e kanë përfunduar procesin e vlerës që kanë për konsumim dhe krijojmë këtë material me të gjithë të dhënat e mira që mos të dëmtojë ambientin më vonë”- tha Leka.
E pyetur nga Euronews Albania nëse ka pasur kërkesa për të përdorur këtë produkt, ajo shprehet se Kina është një mundësi e mirë për të zhvendosur një pjesë të prodhimtarisë të produktit.
“Kërkesat janë më të shumta në Evropë dhe Amerikë, por vetëm vitin pasaadhës kompania ku bëj pjesë do të përzgjedhë investitorët, duke pasur në thelb se cila prej tyre mund t’i japë kompanisë një vlerë më të lartë në treg”, shton Serena.