Shteti i Kosovës është detyruar t’ia kthejë deputetit dhe biznesmenit Behgjet Pacolli, paratë që i kishte paguar për pronësinë mbi hotelin “Grand”. Konfirmimi u bë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të shtunën në Facebook, pak pasi Pacolli njoftoi se e ka fituar rastin në Arbitrazh.
Haxhiu ka akuzuar “hajnitë 20-vjeçare nëpër institucionet shtetërore” për këtë çështje. Ajo ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi që do t’i mundësonte Pacollit pronësinë, por se Kosova është e obliguar t’ia kthejë vlerën monetare që Pacolli ia kishte dhënë Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“Grandi mbetet në pronësi të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, sipas Vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi Grandin. E vetmja gjë për të cilën obligohet Republika e Kosovës, është kthimi i vlerës monetare të cilën Pacolli ia kishte dhënë AKP-së në emër të privatizimit. Edhe pse ai nuk ishte palë në procedurë, AKP kishte pranuar mjetet e tij. Këto tani ne detyrohemi t’i kthejmë. Për shkak të hajnisë 20 vjeçare nëpër institucione shtetërore, paguajmë pasoja ende. Por këto janë të fundit. Pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojmë askujt. Prandaj Grandi mbetet i Kosovës e i qytetarëve të saj”, ka shkruar ajo.
E paraprakisht, deputeti Pacolli tha se e ka fituar rastin në arbitrazhin ndërkombëtar të organizuar nga dhoma e posaçme e Bankës Botërore, për hotelin “Grand” ndaj shtetit të Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se vendimi parashikon që Qeveria duhet të rikthejë shumën e paguar nga kompania e tij.
“Më në fund, kompania ime **Mabco Construction Int.** ka fituar drejtësisht arbitrazhin ndërkombëtarë i organizuar nga dhoma e posaqme e Bankës botërore në Washington për rastin e Grandit, ndaj Shtetit të Kosovës. Vendimi parashikon që Qeveria e Kosovës duhet: 1. **Të rikthejë shumën e paguar nga Mabco** për objektin që, për shkak të refuzimit për të paguar haraç, nuk iu njoh kurrë e drejta e pronësisë, megjithëse pagesen Qeverija e kishte inkasuar në kohë (në vitin 2006)”, ka shkruar Pacolli.
E pas reagimit të Haxhiut, Pacolli është përgjigjur sërish duje e quajtur deklaratën e saj si formë “vetëngushëllimi”. Ai ka shkruar sërish në Facebook duke thënë se nuk e ka kërkuar objektin, por fondet e shpenzuara.
“Ministrja e din shumë mirë, që askush në këtë proces nuk ka kërkuar OBJEKTIN nga ju në asnjë moment. Këtë e lexoni edhe në postimin e maparshëm. Që nga fillimi i procesit, Mabco ka kërkuar gjithmonë që t’i kthehen fondet e saj, të cilat janë përvetësuar në mënyrë të jashtëligjshme, dhe asgjë tjetër”, ka thënë ai.
Më 2017, Pacolli pati thënë se e ka dërguar rastin në këtë arbitrazh, pasi sipas tij, investimi prej 5.1 milionë eurosh që thotë se e ka bërë “ishte bllokuar nga plane mafioze”. Ai ka pretenduar se paratë ishin paguar për blerjen e 40 për qind të aksioneve të objektit.
“Punët është dashur të fillojnë me përpikmëri sipas kontratës me Spin OFF gjatë vitit 2007. Por, grupet mafioze në Kosovë të mbështetur edhe nga politika, nëpërmjet mekanizmave që i kishin instaluar vet, bllokuan çdo gjë, nga ana tjetër, duke inkasuar paratë që ishin paguar nga Mabetexi nëpërmjet rrugëve legale bankare. Këta mekanizma të mbështetur nga politika, ndikuan direkt edhe tek AKM e atëhershme që ajo të hesht dhe të mos lëkundet në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështje”, pati shkruar Pacolli në Facebook në korrik të 2017-s.
Pacolli akuzonte se në mes të proceseve gjyqësore në Kosovë i ishin kërkuar edhe ryshfet.