Puna me orare të kufizuara, detyrimi për të kryer testin e COVID-19 nga pala greke dhe lajmi se pas 16 gushtit kush kalon për në Greqi duhet të vihet në karantinë për 7 ditë ka shkaktuar radhë të gjata në Kakavijë.
Radha e makinave ka shkuar deri në 20 kilometra ndërsa ka qytetarë që prej 3 ditësh qëndrojnë aty. Në shënjë proteste ata kanë tentuar të bllokojnë makinat që hyjnë në tërritorin shqiptar nga Greqia.
Shkak për këtë situatë është bërë edhe fakti që në Kakavijë në palën greke ditët e fundit punonin vetëm 2 mjekë, që nuk përballonin dot fluksin e udhëtarëve.
Radhët kanë shqetësuar tej mase shqiptarët rezidentë në Greqi që duan të kthehen në shtëpitë e tyre. Për këtë shqetësim kanë reaguar udhëheqësit shqiptarë, të cilët kanë kërkuar angazhim më të madh nga pala greke për të përshpejtuar procedurat e kalimeve.
Presidenti Ilir Meta shprehu shqetësimet për situatën përmes një postimi në Facebook ku shoqërohej me pamje video nga Kakavija
“I bëj thirrje urgjente qeverisë dhe ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, të vendosin kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit. Zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme!,” – tha Meta.
Ministria e Jashtme reagoi për situatën duke u shprehur se “problemi në lëvizje nuk krijohet nga autoritetet policore greke apo ato doganore, por nga autoritetet shëndetësore”, të cilat duhet të kryejnë testet. Ministria tha se ka pasur vetëm dy mjekë dhe për këtë palës greke u është kërkuar të shtohet personeli dhe në këtë mënyrë të reduktohet koha e pritjes.
Në komunikimin për shtyp të ministrisë u tha se ndryshe nga Kakavija, “në pikën kufitare të Kapshticës situata vijon normalisht”.
Në një reagim në rrjetet sociale Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxiti ministrinë e Brendshme dhe ministrinë e Jashtme që të gjejnë një pikë mirëkuptimi me qytetarët dhe autoritetet në mënyrë që të lehtësojnë situatën.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha në një postim në Facebook se policia është angazhuar për të zgjidhur sa më parë problemet e shfaqura. Ai tha se në bashkëpunim me ministrinë e Jashtme po bëhen të gjitha përpjekjet për të kërkuar që autoritetet greke të përshpejtojnë procedurat e testimit dhe të reduktojnë kohën e pritjes.
“Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve që të informohen për gjendjen në pikat kufitare përpara se të nisen për të udhëtuar drejt tyre,” – tha ministri Lleshaj.
Prej fillimit të muajit gusht autoritetet greke kanë kufizuar kalimin në pikat doganore nga ora 6.00 deri ne mbrëmjen e orës 22.00, por gjithashtu personat që kalojnë brenda këtij orari janë te detyruar t’i ushtrohen testit të Covid-it.
Së fundi ministria e Jashtme e Shqipërisë është shprehur se pala greke po shqyrton mundësinë për të hequr detyrimin e bërjes së testit me tamponë.