Partia në pushtet nuk i ka dhënë dritën e gjelbër nismës qytetare për tërheqjen e kontributeve pensionale nga TRUST-i, as pas një diskutimi të gjatë në Kuvendin e Kosovës.
Shumë shpesh u bë thirrje nga deputetë të ndryshëm për një reflektim mbi-partiak, por palët mbetën të ngujuara në pozicionet e tyre partiake (me fare pak përjashtime).
Nisma qytetare e nënshkruar nga më shumë se 21 mijë qytetarë të vendit u mbështet nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja por u kundërshtua fuqishëm nga Vetëvendosja.
Artikulimin më të mirë për këtë çështje e bëri ish-kryeministri Avdullah Hoti, që tregoi për krizat nëpër të cilat vazhdonin të kalonin qytetarët e vendit: kriza e energjisë, kriza nga rritja e çmimit të naftës, kriza nga rritja e çmimeve të mallrave të konsumit, kriza nga rënia e investimeve kapitale, rritja e bilancit bankar të Qeverisë, kriza me… qeverisjen dy-vjeçare të Kurtit (me fjalë tjera, Kurti është vet Kriza).
Hoti në fjalën e tij tregoi se kjo nuk ishte masa më e mirë e mundshme për të ndihmuar qytetarët e vendit por… meqë Qeveria s’ka bërë asgjë, atëherë duhej të bëhej diçka.
Tre liderët e partive opozitare nuk folën për këtë çështje, ndërsa dy të parët mbajtën fjalime vetëm në fillim të seancës por duke folur për pika jashtë rendit të ditës (Abdixhiku për veriun ndërsa Krasniqi për Martin Berishajn).