Skandali gjysmë milioni eurosh në Telekom, arrestohet edhe një tjetër biznesmen

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se tre biznesmenë janë arrestuar sot nën dyshimin për keqpërdorim me kontrata publike në Telekomin e Kosovës dhe evazion fiskal.

Gazeta Insajderi raportoi sot për arrestimin e dy afaristëve, Fatbardh Ajvazi dhe Gazmend Hyseni, të cilët dyshohen për një rast të keqpërdorimit me dy tenderë publikë të Telekomit të Kosovës në vlerë të përgjithshme gati gjysmë milioni euro.

Raportimi i Insajderit është konfirmuar në një njoftim për media të Prokurorisë së Shtetit. Organi i akuzës, ka bërë të ditur se lidhur me rastin është arrestuar edhe një person i tretë të premten.

“Prokuroria njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në vazhdën e ndërmarrjes së veprimeve hetimore në rastin e kontratës të lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe Operatorit Ekonomik “Zone Mobile” L.L.C, në vlerë rreth 450,000.00 € (katërqind e pesëdhjetë mijë euro), ku muajin e kaluar janë arrestuar katër (4) persona, ka vazhduar aksionin me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Drejtorinë e Hetimeve kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit”, ka njoftuar Prokuroria.

Gjatë këtij aksioni, bën të ditur komunikata, janë kryer kontrollet e shtëpive dhe lokaleve në komunën e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit, ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme dhe mallra në vlerë rreth 30,000 euro, “si dhe janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar”.

“Personi me inicialet F.A., nga Prishtina, pronar i Operatorit Ekonomik ‘Zone Mobile’ L.L.C, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, dhe ‘Shmangia nga tatimi’. I dyshuari A.P., nga Peja, pronar i kompanisë ‘Kompex’ me seli në Pejë, dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’, dhe “Shmangia nga tatimi”, dhe i dyshuari G.H., nga Prizreni, pronar i kompanisë ‘Versacop’ SH.P.K, me seli në Pejë, dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’, dhe ‘Shmangia nga tatimi’”, ka njoftuar Prokuroria.

Për këtë rast, në prangat e Policisë kishin rënë edhe dy zyrtarë të kompanisë publike të telefonisë në muajin mars të këtij viti.

Siç ka mësuar Insajderi, dy zyrtarët e arrestuar të Telekomit dyshohet se kanë bashkëpunuar me afaristin F.A., për dy kontrata publile që kanë dëmtuar ndërmarrjen publike në vlerë prej 437 mijë euro.

Dy kontratat e lidhura në vitin 2019 ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Zone Mobile L.L.C., pronë e biznesmenit F.A., kishin për qëllim furnizimin e kompanisë publike me telefona mobil. Telefonat me të cilët ishte paraparë të furnizohej Telekomi i Kosovës dyshohet se nuk janë pranuar nga kompania shtetërore.

Kësisoj, rreth gjysmë milioni euro të taksapaguesve kosovarë dyshohet se janë përvetësuar nga të dyshuarit, raporton Gazeta Insajderi.

Burimet kanë treguar se F.A. dhe i arrestuari tjetër, afaristi G.H., dyshohen po ashtu për kryerjen e veprave penale të ‘shmangies nga tatimi’ dhe ‘dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’.

Ata, dyshohen se në tentim të mbulimit të veprimeve të tyre kanë krijuar dokumente fiktive për gjoja shitblerje të telefonave ndërmjet dy kompanive të tyre.

Insajderi ka mësuar se dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të rastit.