Skandaloze: Kandidatja e LDK-së për deputete ofendon pjesëtarët e LGBTI-së, i krahason me kafshët

Me gjuhë të skajshme të urrejtjes, kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Mikete Hajadari, ka ofenduar rëndë pjesëtarët e komunitetit LGBTI (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) të Kosovës, të cilët të enjten mbajtën Paradën e Krenarisë në Prishtinë.

Në dy komente në rrjetin social Facebook, Mikete Hajdari ka shprehur urrejtjen patetike të saj ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI.

“Mbetshim pa ta”, ka thënë Hajdari në një koment në Facebook, teksa ka vazhduar më tej duke i krahasuar pjesëtarët e këtij komuniteti me kafshë. “Me i kultivu si shtazët shtëpiake”, ka thënë ajo.

Mikete Hajdari është edhe asambliste e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë.

Në paradën e së enjtes së komunitetit LGBTI morën pjesë ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si dhe personalitete të ndryshme nga shoqëria civile. /Insajderi.com

Përveç paradës, përgjatë kësaj jave në Prishtinë ka vazhduar “Java e Krenarisë” me aktivitete të ndryshme që u kushtohen të drejtave të personave të komunitetit.