Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde ka nënshkruar të martën aplikimin për anëtarësim në NATO, raporton CNN.
Lëvizja shënon hapin formal nga Stokholmi drejt bashkimit me aleancën ushtarake, duke u dhënë kështu fund dekadave të neutralitetit ushtarak të shtetit.
Po ashtu, kjo lëvizje vjen në kohën kur Rusia po vazhdon luftën e saj në Ukrainë.
“Kjo është diçka e madhe, diçka serioze dhe duket sikur kemi arritur në përfundimin më të mirë për Suedinë. Nuk e dimë se sa do të marrë aplikimi ynë, mirëpo ne e kemi llogaritur se kjo mund të marrë deri në një vit. Këtë javë aplikimi ynë do të dorëzohet, bashkë me atë të Finlandës dhe pastaj do të procedohet në NATO”, ka thënë Linde pas nënshkrimit të aplikimit.
Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson tha të hënën se vendi duhet t’i bashkohet NATO-s së bashku me Finlandën fqinje për “të garantuar sigurinë e popullit suedez”.
Presidenti rus, Vladimir Putin tha se hyrja e dy vendeve nordike në NATO nuk do të krijojë një kërcënim për Rusinë, por zgjerimi ushtarak në territor do të shkaktojë përgjigjen e shtetit të tij.