Joe Biden rikuperon bindshëm në garën demokrate për Shtëpinë e Bardhë. Ish-zëvendëspresidenti, deri më tani ka siguruar fitoren në 9 prej 14 shteteve ku u votua për zgjedhjen e kandidatit demokrat që do të rivalizojë Trump në atë që njihet si super e marta.
Biden fitoi në Karolinën e Jugut, Masaçusets, Minesota, Oklahoma, Arkansas, Alabama, Tenesi, Virxhinia dhe Teksas. “Gjithçka bëhet për të rikthyer shpirtin e Amerikës. Mua më pëlqen shumë kjo pjesë, të bashkohemi të gjithë”, tha ai pas daljes së rezultateve paraprake.
Megjithatë, Benrie Sanders parashikohet të fitojë Kaliforninë, që konsiderohet edhe si çmimi i madh i mbrëmjes, bashkë më 3 shtete të tjera, për shkak të numrit të madh të delegatëve. Ai triumfoi gjithashtu në Kolorado dhe Juta. “Kur nisa garën për presidencën të gjithë menduan se nuk do t’ia dilja. Por sot, mund t’iu them me besimin më të madh se do të fitojmë nominimin demokrat dhe do të mundim presidentin më të rrezikshëm në histori”, tha Sanders.
Ish-kryesbashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, shpenzoi më shumë se gjysmë miliardë dollarësh për fushatën e tij, por nuk fitoi asnjë shtet të vetëm. Disfatë edhe për Elizabeth Ëarren, e cila humbi edhe në shtetin e saj Masaçusets. Në zgjedhjet e super së martës kandidatët garojnë për më shumë se 1300 nga 1991 delegatët e nevojshëm për të siguruar nominimin e partisë në muajin korrik. Aktualisht Biden, ka përparësi të lehtë ndaj Sanders, sa i përket numrit të delegatëve. Të dhënat e “exit poll”-eve sugjerojnë se ish-zëvendëspresidenti ka tërhequr votues mes komunitetit afroamerikan, një bllok kyç për Partinë Demokratike. Biden duket se ka fituar gjithashtu mbështetjen e votuesve në periferi, të cilët sipas sondazheve janë të pakënaqur me presidentin aktual.