Në konferencën e zakonshme për shtypin, Sylvinho, trajneri i kombëtares shqiptare, analizoi rrugëtimin e kuqezinjve në grupin B të Euro 2024.
“Po, jam krenar për lojtarët e mi. Jam i lumtur për vendin, Federatën dhe gjithë tifozët. Kam jetuar për 1.5 vite në Tiranë, kam zbuluar lojtarë të rinj. Njerëzit mund të supozojnë që Italia do të na shënonte 3 gola, Kroacia 4 dhe Spanja 5.
Por kemi bërë punë taktike, kemi patur shumë besim. Kemi sakrifikuar, arritëm të konkurrojmë kundër tri skuadrave kombëtare të mëdha.
Spanja është kombëtare e madhe, ata kanë lojtarë shumë të mirë dhe të shpejtë. Skuadër e gatshme për të fituar, njëra nga favoritet për fitimin e Europianit.
Shorti dhe grupi ishin të vështirë. Nuk jemi mësuar të luajmë në kompeticione të tilla. Shpresoj të jem në drejtimin e kësaj Kombëtareje për 10 vitet e ardhshme.
Kam kaluar shumë netë pa gjumë duke ëndërruar se si duhet të luanim përballë skuadrave të tilla. Arritëm të ishim kundërshtarë dinjitozë, nuk kemi keqardhje. Urime për lojtarët, Shqipëria është krenarë me ne.
Synimi i Shqipërisë është të luajmë në evenimente të tilla, të arrijmë në nivele më të larta duke mësuar e duke u përmirësuar. Kemi synime të qarta, kemi lojtarët e duhur. Na pret një punë e madhe, por kemi materialin e duhur.