Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot pas takimit me drejtuesit e institucioneve shëndetësore në një konferencë për media, ka prezantuar disa nga masat e reja pas rritjes së rasteve dhe viktima me koronavirus në Kosovë.
Qytetarët e Komunës së Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Vushtrrisë duke filluar nga nesër në ora 21:00 nuk do të lejohen të lëvizin deri në ora 05:00 të mëngjesit, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se ky vendim është i rëndë dhe do të shkaktojë dëme të pallogaritshme tek gastronomia dhe ekonomia në këtë qytet.
“ Padyshim që është vendim i rëndë, do të shkaktojë dëme të pallogaritshme tek gastronomia edhe tek ekonomia. Por ka qenë e domosdoshme të merren masa, por jo vetëm në disa qytete. Pa diskriminim, por në të gjitha qytetet”, tha Tahiri.
Ai shtoi se fakti që Vushtrria është aq afër Prishtinës dhe shumë qytetarë të Vushtrrisë punojnë në Prishtinë , ka bërë që qytetarët të infektohen në vendin e tyre të punës.
“Ajo që na mungon, një bazë e qartë ligjore e gjobave ndaj atyre që nuk i respektojnë masat, distancën. Sa më parë të bëhet ky ligj, do të jetë më lehtë për komunat, për shqiptimin e gjobave”, tha Tahiri në një lidhje direkte në RTV Dukagjin.
Tahiri po ashtu tha se sot nuk ka pasur ndonjë viktimë nga koronavirusi në Vushtrri.