Milani zyrtarizoi të hënën emërimin e Igli Tares si drejtorin e ri sportiv të klubit. Pas muajsh të tërë diskutimesh dhe alternativash të shumta, drejtuesit e “Rossonerëve” kanë vendosur t’ia besojnë këtë rol strategjik ish-sulmuesit shqiptar, i njohur për përvojën dhe suksesin e tij të mëparshëm me Lazion.
Lajmi ka zgjuar menjëherë interes dhe reagime në opinionin sportiv italian, përfshirë edhe atë të trajnerit legjendar Fabio Capello. Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Capello ka vlerësuar emërimin e Tares si një hap pozitiv, por ka theksuar se ai do të përballet me sfida të mëdha që në nisje të punës së tij.
“Tare është një zgjidhje e mirë. Ka pasur përpjekje për të rritur identitetin italian brenda dhe jashtë fushës,” u shpreh Capello. “Igli ka lindur në Shqipëri, por në aspektin e futbollit ai është një prej nesh. Natyrisht, ai po mbërrin paksa me vonesë dhe menjëherë i është besuar një ‘patate e nxehtë’, gjetja e trajnerit të ri.”
Në lidhje me çështjen e pankinës, Capello nuk ngurroi të japë mendimin e tij mbi nevojën për një emër të madh dhe me garanci.
“Rossonerët kanë nevojë për një trajner që ofron siguri. Nëse Conte nuk është në dispozicion dhe lejoni që të tjerët t’ju kalojnë në garën për Allegrin, atëherë nuk shoh ndonjë alternativë serioze në horizont,” theksoi ai.
Emërimi i Tares vjen në një moment delikat për Milanin, ku përveç sfidave në merkato, duhet të zgjidhet edhe çështja e bankinës teknike për sezonin e ardhshëm. Me përvojën e tij në ndërtimin e skuadrave konkurruese dhe menaxhimin e situatave komplekse, pritet që Tare të luajë një rol kyç në projektin e ri të klubit kuqezi.