Edmond Tupja
Dikur, në disa krahina të Shqipërisë së Mesme, ditën që një grua shtatzënë shkonte në maternitet për të lindur ose priste t’i vinte mamia e fshatit në shtëpi, familjarët e saj shprehnin me gjithë shpirt një e vetëm një dëshirë: “Shpëtoftë e madhja dhe lindtë sagllam e vogla!”, pra ata uronin të mos vdiste në lindje e sipër nëna e ardhshme dhe të vinte shëndoshë e mirë në jetë fëmija e saj.
Ky urim dëshmonte, ndonëse në mënyrë patetike, përkujdesjen instinktive tradicionale të mjedisit familjar, deri diku edhe të atij shoqëror, për gruan si një qenie që siguronte vazhdimësinë e jetës pavarësisht padrejtësive, viktimë e të cilave ajo binte si brenda ashtu edhe jashtë familjes.
Kjo mendësi ndiqej e ndiqet gjithmonë krejt natyrshëm nga një tjetër, nga ajo e prindërimit, i cili nënkupton rolin e pazëvendësueshëm fillimisht të nënës dhe mandej të babait në mirërritjen e fëmijës, çka ilustrohet me një shprehje fort domethënëse për fëmijën e porsalindur nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të vendit tonë, të cilën për herë e kam dëgjuar në të folmen tiranase: “U rrittë me nonë e me babë!”
Po, prindërimi presupozon praninë dhe rolin e pamohueshëm të nënës dhe të babait, prani kjo e domosdoshme, sepse, në mungesë të të dy këtyre, por edhe të njërit, fëmija do të ndihet i paplotësuar jo vetëm deri në moshën e pjekurisë seksuale, por gjithashtu deri në fund të jetës së tij, çka e provojnë hulumtimet e studimet e kryera nga psikopediatrit, edukatorët, psikiatrit e madje psikanalistët lidhur jo vetëm me rritjen e fëmijës jetim nga nëna e nga babai, sidomos në kushtet e vendosjes së tij në jetimore, por edhe lidhur me rritjen e tij nga një prind, ose nga gjyshërit apo të afërm të tjerë.
Nga ana tjetër, prindërimi presupozon praninë e edukatorëve dhe të psikologëve në çerdhe e kopshte, pra në institucionet e arsimit parashkollor, praninë gjithashtu të mësuesve e të psikologëve në arsimin e mesëm.
Jo më kot vështirësitë e prindërimit kur fëmija del nga etapa e paraadoleshencës dhe kalon në hallkat e arsimit shkollor, prindërit me përvojë i përmbledhin me fjalën e urtë “Kur janë të vegjël, fëmijët të prishin gjumin, kur bëhen të mëdhenj, të prishin gjakun!”, çka do të thotë se përgjegjësitë e tyre si prindër sa vijnë e shtohen me rritjen e fëmijëve, sidomos kur ata përballen me krizën e adoleshencës.
Në këtë stad, për prindërit është thelbësore të kujtojnë kohën kur vetë ata kanë qenë adoleshentë, të kujtojnë e të analizojnë mënyrën si i kanë kapërcyer pakënaqësitë ndaj prindërve, por edhe si prindërit i kanë zgjidhur kundërvëniet me ta, a kanë ushtruar dhunë fizike ose psikologjike ndaj tyre apo kanë vepruar me takt, durim, maturi etj., etj.
Në këtë drejtim do të ishte e udhës që ata, si prindër, t’u drejtoheshin jo vetëm të afërmve të tyre që kanë fëmijë të së njëjtës moshë, por edhe psikologëve, madje edhe psikiatërve në rast nevoje urgjente.
Sidoqoftë, prindërimi vazhdon edhe pasi fëmijët të jenë rritur, shkolluar e martuar, sepse gjyshërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre – tashmë vetë të bërë prindër– me përvojën që kanë, sepse, siç thotë një fjalë e urtë shkodrane, “Me rritë një fëmijë asht’ si me hapë një pus me majën e gjylpanës!”.