Të merresh me bujqësi në ditët e sotme është një sfidë që shumë të rinj e kanë humbur.
Por për Emiljan Halilin, 32-vjeçarin nga Çermë Shkumbini në Divjakë, bujqësia është profesioni me i lehtë dhe se dashuria për tokën të jep mirëqenie.
Ai nuk ka shkuar asnjëherë në emigrim dhe vetëm duke shtuar tokat bujqësore mban familjen prej 7 anëtarësh.
Momentalisht Emiljani ka kultivuar shalqi në disa hektarë tokë të marra me qira. Pasionin që ai ka për punën e bën që të mos ndiejë lodhje.
Përvojën e punës në bujqësi e ka marrë gjatë viteve të jetës, asgjë nuk i është imponuar, por takimet me specialistët e fushës i kanë mësuar suksesin.
Emiljani prodhon produkte për eksport dhe paguan mirë edhe punëtorët.
32-vjeçari është baba i 3 fëmijëve, ai jeton me gruan dhe prindërit e tij dhe të gjithë së bashku janë angazhuar në bujqësi.
Dhjetëra ton shalqi i ka ngarkuar vetëm në një ditë pune dhe koha për këtë njeri është e shenjtë.
Për vështirësitë në emigrim ka dëgjuar dhe mesazhi i tij për të rinjtë është të qëndrojnë pranë familjes, dhe se puna nëse bëhet me pasion ta bën jetën të lumtur.