Teatri Kombëtar i Sarajevës ka paralajmëruar se nuk do t’i nënshtrohet presionit të Turqisë për ta anuluar shfaqjen nga Kosova, “Të gjashtët kundër Turqisë”. Është zotuar se shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt, do të jepet ashtu siç është paraparë, të hënën, në kuadër të festivalit “Teatri regjional”.
Ndonëse nuk ka dalë me qëndrim zyrtar, kjo është përgjigja që kanë dhënë për mediat boshnjake pas bërjes publike se Ambasada e Turqisë në Bosnjë Hercegovinë, i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtë shtet, me të cilën kërkon prerazi anulimin e kësaj shfaqjeje, e cila sipas saj është “propagandë në favor të FETO-s, organizatës terroriste kundër Turqisë dhe presidentit të saj”.
Ka marrë për shkas fotografitë në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar të Sarajevës ku shihen portretet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe udhëheqësit të FETO-s, Fetullah Gülen. Këtë e Ambasada e sheh si shenjë të qartë të lidhjes së shfaqjes me këtë organizatë.
“Por nga Teatri Kombëtar i Sarajevës nuk e kanë ndërmend të nënshtrohen përballë këtij presioni. Siç i është thënë ‘Raportit’ (portal boshnjak v.j.) shfaqja do të jepet siç është paralajmëruar dhe Teatri Kombëtar në Sarajevë nuk do të deklarohet zyrtarisht për këtë çështje”, ka shkruar “Raporti”. Se “Të gjashtët kundër Turqisë” do të shfaqet në Sarajevë ka shkruar edhe “Dnevni Avaz”. Mediat boshnjake, kanë raportuar për këtë rast, e jo pak prej tyre e kanë cilësuar si skandal diplomatik të Turqisë.
“Kjo nuk është hera e parë që Turqia e Erdoganit e sheh ndonjë kritikë ndaj regjimit si një akt armiqësor tek përdor presion diplomatik në përpjekje për të kufizuar shprehjen artistike jashtë kufijve të saj. Në vitin 2017, Turqia i bëri presion Gjermanisë që të anulonte shfaqjen e filmit ‘Songs of My Mother’, duke e quajtur atë propagandë pro-kurde. Një kërkesë e ngjashme iu dërgua Austrisë një vit më vonë për një shfaqje tjetër, kritike ndaj politikës turke, e cila u pretendua se ishte një fyerje për interesat kombëtare”, shkruhet në një shkrim të gazetarit dhe analistit Eldin Haxhoviq në portalin “Novosti”.
Po aty, shkruhet se prapavija kulturore e këtij qëndrimi ndaj artit, “lidhet me tensionet e brendshme politike në Turqi pas tentativës së supozuar për grusht shteti, të cilin qeveria e përdori për persekutimin masiv të pjesëtarëve të opozitës dhe intelektualëve të pavarur”.
“Edhe pse interpretimet e këtyre ngjarjeve ndryshojnë, një gjë mbetet e qartë: çdo aludim për FETO-n provokon një reagim histerik e madje edhe tentativa për censurë larg territorit turk”, shkruhet në këtë tekst. Nota diplomatike e Turqisë cilësohet si skandal ndërkombëtar që shënjestron Teatrin Kombëtar të Sarajevës, një institucion me një traditë dekadashe të rezistencës artistike dhe peshës kulturore, duke u përballur me presionin që kërcënon integritetin e tij – jo vetëm artistik, por edhe institucional.
“Askush – as qeveria e një vendi mik – nuk duhet të lejohet të vërë në dyshim besueshmërinë e kësaj shtëpie, e cila ka mbijetuar gjatë historisë pikërisht falë luftës parimore për lirinë e shprehjes”, shkruhet në këtë tekst.