Telefonata nga Europa që alarmoi Ulqinin

Policia e Ulqinit është ngritur dje nga një kërcënim anonim se po përgatitej masakër në shkollën fillore “Marshal Tito”.

Sipas Vijesti-t, Europol ka njoftuar kolegët e tij nga Mali i Zi se kërcënimi është publikuar në internet.

Sipas informacioneve jozyrtare, shërbimet ndërkombëtare të sigurisë nuk kanë pasur informacion për identitetin e personit që ka paralajmëruar kërcënimet dje, ndërsa kreu i Policisë së Ulqinit, Arben Tagani, ka thënë se po hetojnë rastin dhe e mbajnë gjithçka “nën kontroll”.

Duke qenë se ishte ditë pushimi për nxënësit, dje në shkollë kanë mbetur vetëm disa punonjës të cilët janë larguar nga godina pasi policia i ka njoftuar për kërcënimin.

Drejtoresha e shkollës, Medina Çoba, ka njoftuar kolegët e saj përmes Facebookut se Interpoli ka dërguar informacione se dikush po përgatit një masakër.

“Se dikush do të hyjë me armë zjarri, do të bëjë masakrën e fëmijëve etj… Aty deri më tani kanë qenë komandantët e policisë së Tivarit dhe Ulqinit, i kemi kontrolluar të gjitha, po qarkullojnë patrullat…”, ka shkruar Çoba.

Ajo bëri thirrje për kujdes dhe që të gjithë personat e dyshimtë dhe të panjohur të lajmërohen menjëherë në polici.

Gjithsesi, Tagani theksoi se nuk ka vend për panik.

“Sigurisht, ne i besojmë gjithçka dhe e mbajmë nën kontroll. Është shumë e rëndësishme që njerëzit të mos kenë panik dhe të dinë se ne punojmë mirë dhe profesionalisht”, tha ai.

Sipas informacioneve jozyrtare, kërcënimet kanë ardhur nga llogaria e Google “Adolf Hitler” në një shërbim blogje, e cila dyshohet se mbledh neonazistë të cilët janë ftuar të kryejnë vrasje masive me armë zjarri në shkollën e Ulqinit.

Ky zhvillim vjen në atmosferën e një qeverie të re në Mal të Zi, e cila do jetë për herë të parë një kryeminsitër shqiptar, pikërisht nga Ulqini, Dritan Abazoviçin. Nuk dihet nëse ngjarja ka ndërlidhje me politikën, por prej kohësh Mali i Zi është nën tensione politike me sfond nacionalist, jo mes shqiptarëve dhe malazezëve, por mes këtyre të fundit dhe faktorit serb ne këtë shtet.