Një medium amerikan ka raportuar se Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar trysninë ndaj Izraelit për t’ia kundërshtuar planet për zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor. Raportohet se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka telefonuar ministrin izraelit të Mbrojtjes, Benny Gantz dhe se të dyja palët kanë pasur një bisedë të tensionuar.
Faqja amerikane e lajmeve – Axios – raportoi se sekretari Blinken të martën e telefonoi ministrin Gantz dhe i tha se edhe numri i njësive të banimit, edhe vendndodhja e tyre thellë brenda Bregut Perëndimor janë të papranueshme për ShBA-në, sipas zyrtarëve izraelitë.
Tre zyrtarë izraelitë i thanë gazetarit nga Izraeli, Barak Ravid, se telefonata mes dy zyrtarëve të lartë ishte e tensionuar, transmeton Gazeta Express.
Diplomati i lartë amerikan në Jerusalem, Michale Ratney, e telefonoi këshilltaren e kryeministrit Bennett për politikë të jashtme, Shimrit Meir, për të protestuar kundër planeve për zgjerimin e vendbanimeve, raporton “Axios”.
Izraeli të mërkurën bëri hapa para me planet për ndërtimin e rreth 3.000 shtëpive për ardhësit hebrenj në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke e sfiduar kritikën më të fuqishme të administratës së Bidenit deri më tani për këtë projekt.
Një zyrtar i lartë palestinez tha se vendimi tregon që qeveria e re e Izraelit, e udhëhequr nga politikani i të djathtës ekstreme, Naftali Bennett, nuk është më pak ekstreme se administrata e ish-kryeministrit me pushtet të gjatë, Benjamin Netanyahu.
Një zyrtar izraelit i mbrojtjes tha se një forum planifikues i zyrës ndërlidhëse të Izraelit me palestinezët e ka dhënë miratimin preliminar për planet për ndërtimin e 1.344 njësive të banimit dhe miratimin përfundimtar për projektet për ndërtimin e 1.800 shtëpive, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Tani është në dorën e ministrit izraelit të Mbrojtjes, Benny Gantz, që ta japë dritën e gjelbër për lëshimin e lejeve të ndërtimit, duke rrezikuar përçarje më të thella me Uashingtonin.
“Kjo qeveri po mundohet që të vendosë baraspeshë mes marrëdhënieve të saj të mira me administratën e Bidenit dhe shtrëngesave të ndryshme politike”, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar i lartë izraelit.
Shtetet e Bashkuara të martën thanë se janë thellësisht të shqetësuara rreth planeve të Izraelit për avancimin e njësive të banimit dhe se i kundërshton fuqishëm këto plane.
I pyetur rreth zhvillimeve të së mërkurës, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha: “Siç kemi thënë, kjo administratë (e Bidenit) e kundërshton fuqishëm zgjerimin e vendbanimeve.”