Tërmeti me magnitudë 6.4 ballë që goditi Shqipërinë mëngjesin e ditës së djeshme nuk shkaktoi vetëm viktima dhe dëme materiale, por ngriti edhe tokën rreth 10 centimetra afër Durrësit, përgjatë bregdetit të Shqipërisë.
Një fakt i tillë interesant tregohet nga pamjet e marra nga satelitët Sentinel-1 të programit Evropian Kopernikus të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe Komisionit Evropian, të analizuar nga sizmologët e Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (Ingv).
Radari mati deformimin e tokës, ashtu sikur ndodhi për tërmetet e vitit 2009 në L’Aquila, 2012 në Emilia Romagna dhe 2013 në Lunigiana. Deformimi u mat nga platforma në internet Geohazard-TEP, e zhvilluar nga ESA, duke përdorur imazhe të marra nga satelitët Sentinel-1 nga i njëjti vend, para dhe pas tërmetit.
Krahasimi midis dy pamjeve bëri të mundur marrjen e një interferogrami, dmth hartën e zhvendosjes së tokës. Kjo është marrë gjithashtu në bazë të sinjalit elektromagnetik të emetuar nga sateliti, i pasqyruar nga sipërfaqja e tokës dhe e kapur nga sensori, i cili përfaqësohet në imazhin e marrë me cikle të ndryshme ngjyrash duke paraqitur një zhvendosje e sipërfaqes së tokës.