Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti, janë takaur sonte në orët e vona, për të diskutuar rreth mundësisë së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pas përhapjes së rasteve me coroanvirus në Kosovë, dhe masat që duhet ndërmarrë për t’u mbrojtur.
Siç ka mësuar Gazeta Online Reporteri.net, kryeministri Albin Kurti është shprehur kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, edhe pse partneri i tij i koalicionit kishte qëndrim pro. Këto kundërshtime kanë ndodhur gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, e thirrur nga Kryeministri me kërkesë të Presidentit.
Arsye pse Vetëvendosje po e kundërshton shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, siç mëson Reporteri.net, janë kompetencat e menaxhimit të situatës, pas marrjes së një vendimi të tillë. Në këtë rast, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ekzekutivi në bazë të Kushtetutës i kalon Këshillit të Sigurisë, këshill ky i cili drejtohet nga Presidenti.
Pra në momentin që shpallet gjendja e jashtëzakonshme, shef i ekzekutivit për vendimet rreth situatës bëhet Këshilli i Sigurisë, i cili udhëhiqet nga Presidenti.
Rrjedhimisht me këtë vendim, do të ulej shumë fuqia ekzekutive e Kryeministrit dhe do të rritej fuqia ekzekutive e Presidentit.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, do ta nxirrte presidentin Thaçi në plan të parë edhe sa i përket menaxhimit të situatës së krizës me coronavirus, dhe roli i kryeministrit Kurti do të dilte në rend të dytë.
Edhe në këtë rast, sikurse te dialogu me Serbinë, roli udhëhqës po bëhet mollë sherri në mes të Thaçit dhe Kurtit.
Presidenti, në konferncën për media të paralajmëruar për në ora 21:00 e që filloi me një orë e gjysmë vonesë, bëri të ditur se do t’i propozojë Kuvendit shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, por nuk ka tha se për këtë janë marrë vesh me qeverinë.
Pra, pritet që propozimi i Presidentit të mos merr mbështetjen e partive të koalicionit qeveritar, edhe pse burime të Reporteri.net, thonë se LDK për dallim nga VV ishte pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.