Zyra e presidentit ka njoftuar se kryeministri i shkarkuar i Kosovës, Albin Kurti nuk është konsultuar me të parin e shtetit, Hashim Thaçin, si udhëheqës i politikës së jashtme lidhur me Ekipin Negociator në dialog, për të cilin dje ka njoftuar.
Përmes një komunikate për media nga presidenca kanë deklaruar se kryeministri është shkarkuar dhe se me këtë qasje është duke e shkelur hiearkinë kushtetutese.
Tutje, në këtë njoftim të presidencës, thuhet se kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim.
Njoftimi i plotë:
Meqë dje dhe sot kishte shumë pyetje drejtuar Zyrës së Presidentit lidhur me Ekipin Negociator të proklamuar nga kryeministri i shkarkuar, Zyra për Informim e Presidentit të Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar, se kryeministri në largim nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme.
Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim. Ai përveç që nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, me këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese.
Kryeministri i shkarkuar është i delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim. Lista e delegacionit të propozuar nga kryeministri i shkarkuar mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë.