Thaçi mundohët ta fyej në profesion Vjosa Osmanin, ja çfarë thotë për komentet që i dergoi në Kushtetuese

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se argumentet që kryeparlamentarja Vjosa Osmani i ka çuar në Gjykatën Kushtetuese e bëjnë të besojë se vendimi i tij për dekretimin e Avdullah Hotit si mandatar për formimin e qeverisë së re ka qenë i drejtë.

Thaçi ka thënë se çdoherë kur Osmani ka dërguar komente kundër tij në Gjykatën Kushtetuese, në fund vendimi e ka favorizuar atë.

“Një argument më bën me besu mua që kam të drejtë. Prej komenteve që i ka dërgu kryetarja e Kuvendit, kam fillu me besu edhe më fuqishëm se unë kam pasë të drejtë, se çdoherë kur ka dërgu komente ajo në pozicionet që i kemi pasur kontestuese në Gjykatën Kushtetuese, gjithmonë vendimi ka dalë i drejtë për presidentin”, ka thënë ai.

Ai ka rikujtuar edhe rastet kur Vjosa Osmani ka dërguar komente në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar qasjen e saj si joprofesionale.

“Qoftë ma herët si kryeministër, qoftë edhe në vitin 2010, sa ka qenë edhe në vitin 2014, edhe më vonë kur jam zgjedhë president, i ka dhënë komentet e veta. Kështu që, këto komente të saj apo kundërargumente ndaj vendimin tim do të shndërrohen në argumente për vendimin për mua. Sepse gjithmonë ka tregu një qasje joprofesionale, pavarësisht se thirret si juriste. Nuk e them këtë veç për humor, por me të vërtetë prej asaj dite besoj më shumë në drejtësinë e vendimit tim”, ka thënë ai.

Më së largu të premten, Gjykata Kushtetuese do ta shpallë dhe do ta publikojë aktgjykimin për çështjen më diskutabile në vend.