Ujëra të kristaltë, vende që janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Një Shqipëri që po i largohet reputacionit të lidhur me krimin e organizuar.
Një vend që po krahasohet me Greqinë dhe Kroacinë teksa turizmi po i rikthet normalitetit pas pandemisë.
Kështu e nis prestigjiozja “The Times” artikullin e saj referuar turizmit në Shqipëri dhe rritjes së interesit së shtetasve britanik ndaj vendit.
Linjat ajrore po rrisin frekuencat e fluturimeve dhe kompanitë e pushimeve po prezantojnë ture të reja.
“Times” ka kontaktuar ekspertët e udhëtimit të cilët shprehen se media sociale është një forcë e fortë shtytëse pas rritjes së interesit.
“Ata janë përdorues të mëdhenj të mediave sociale dhe kanë përfituar nga kjo”, tha Ellie Marr, një specialiste për Shqipërinë në Regent Holidays.
Sipas saj, në të kaluarën interesi vinte nga njerëzit që donin të zbulonin Shqipërinë si një destinacion i prekur nga komunizmi.
“Tani është rasti që njerëzit e kanë parë në foto, kanë dëgjuar për të dhe e kuptojnë se është një vend mahnitës për bregdetin dhe bukurinë e tij natyrore. Mediat sociale kanë pasur një efekt të madh”.
Videot në platformën TikTok që shfaqin Ksamilin janë parë më shumë se 60 milionë herë.
Marr, e cila sapo është kthyer nga pushimet e saj familjare në Shqipëri tha se ishte diversiteti i peizazheve, duke përfshirë vijën e bukur bregdetare, që e tërhoqi atë.
“Për sa i përket peizazhit, është një kombinim i Greqisë, Kroacisë dhe Malit të Zi”, shtoi ajo.
Skyscanner, platforma më e madhe e prenotimeve të fluturimeve në botë, tha se rezervimet nga viti në vit për në Shqipëri janë rritur 96 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës, viti i fundit i udhëtimeve para pandemisë.
EasyJet kishte planifikuar të nisë fluturime direkte tre herë në javë nga Gatwick në Tiranë në maj të 2020-ës, por kjo u vonua për shkak të pandemisë.
Linja ajrore tani fluturon direkt gjashtë herë në javë.
Në të gjitha linjat ajrore numri i fluturimeve drejt vendit është rritur.
Në korrik 2019, 76 fluturime, me 14 mijë vende u nisën nga Britania e Madhe për në Shqipëri, sipas Cirium, një kompani analitike fluturimi.
Ky numër u rrit në 207 fluturime – muajin e kaluar – me 39 mijë e 600 vende.
Original Travel ka disa vite që organizon pushime në vend dhe po parashikon një bum turistik.
“Jemi të sigurt se do të fillojë të ketë një vërshim në Shqipëri. Sigurisht që ne po e shtyjmë atë si një alternativë ndaj Kroacisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi”, tha Tom Barber, bashkëthemeluesi i kompanisë duke shtuar se vendi është një opsion i shkëlqyeshëm
ToursByLocals, e cila operon në vende të Evropës, ka dëshmuar një rritje të britanikëve që rezervojnë turne gjatë pushimeve në vend gjatë muajve të fundit.
Ajo ka shtuar një turne të ri në qytetin e Korçës, si dhe një udhëtim shumëditor në “Rivierën Shqiptare” që përfshin plazhet e Durrësit, qytetit të Vlorës, Parkut Kombëtar të Llogorasë dhe qendrës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Butrint.
Celia Silvani, 31- vjeç, e cila ka rezervuar një udhëtim për fundin e muajit, tha se është e “frymëzuar nga numri i postimeve në TikTok që kam parë për Rivierën Shqiptare”.
“Duket absolutisht mahnitëse dhe pak më ndryshe nga ndoshta disa nga pjesët më të njohura të turizmit masiv të Evropës, ku nuk më pëlqen të shkoj”.
Silvani nga jugu i Londrës dhe bashkëshorti i saj po shkojnë në Ksamil dhe Sarandë.
“Ne po fluturojmë për në Korfuz dhe po marrim tragetin nga atje, kështu që do të arrijmë të kombinojmë dy vende në një udhëtim. Jam shumë e emocionuar dhe shpresoj që realiteti të përmbushë pritshmërinë time shumë të madhe të bazuar në TikTok”.
Një tjetër faktor nxitës i kërkesës janë çmimet e ulëta të Shqipërisë.
Marrë nga “The Times”, përshtatur për Albanian Post
/