Thirrja e IKSHPK-së pas shtimit të rasteve: Vetëm me vaksinim e mposhtim “Deltan”

Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka bërë edhe njëherë apel për vaksinim të qytetarëve.

Përmes një postimi në Facebook, IKSHPK-ja ka thënë se varianti i COVID-19, njohur si indian “Delta”, është rreziku më i madh në këtë kohë.

“Vaksinimi kundër COVID-19 shpëton jetë! Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19! Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar! Vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital. Vaksinohuni tash për të mos marrë masa rigoroze në vjeshtë! Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima. Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sipas këtij institucioni, Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave, si Astra-Zeneca dhe Pfizer.

“Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan”, thuhet në njoftim.

Kjo thirrje e IKSHPK-së vjen pasi në mesin e qytetarëve ka pasur hezitim për vaksinim.

Deri më tash, në nivek vendi janë dhënë gati 375 mijë vaksina.

Ditëve të fundit është shtuar numri i rasteve me COVID-19. Të martën u raportuan 42 raste të reja pozitive.