Alarmi i dhënë nga eksportuesit për goditjen nga pandemia koronavirus materializohet në të dhënat zyrtare. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë marsit eksportet shënuan rënien historike prej 36,2% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Rënien më të fortë e kanë regjistruar grupet e ‘Tekstile dhe këpucë’, të njohura ndryshe si fasonët me 18,4%, një nga sektorët më të goditur prej situatës së krijuar nga Covid-19 të cilët prej disa javësh kanë ndërprerë aktivitetin.
Ndikim negativ kanë dhënë gjithashtu grupi ‘Materiale ndërtimi dhe metale’ duke pësuar një rënie prej 8,9% si dhe ai i ‘Minerale, lëndë djegëse dhe energjie elektrike’, ku eksportet në këtë grup u tkurrën me 6,6% gjatë marsit.
Partnerët tregtarë me të cilat Shqipëria ka parë uljen më të madhe të eksporteve janë Italia me 48,5%, Kosova me 43,1% dhe Greqia me 24,6%.