Ish-kryeministri britanik, Tony Blair ka paralajmëruar se epokës së dominimit politik dhe ekonomik perëndimor po i vjen fundi për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ngritjes së Kinës si “superfuqia e dytë” në botë.
Ai tha se fuqitë perëndimore duhet të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes për të ruajtur supremacinë e tyre ushtarake.
Blair tha se pushtimi “brutal dhe i pajustifikuar” i Vladimir Putin në Ukrainë, tregoi se Perëndimi nuk mund të presë më automatikisht që fuqitë e mëdha botërore t’u përmbahen normave të pranuara ndërkombëtare.
“Si rezultat i veprimeve të Putinit, ne nuk mund të mbështetemi më tek autoritetet kineze që të sillen në një mënyrë që ne e konsiderojmë racionale. Mos më keqkuptoni. Unë nuk po them se Kina do të përpiqet të marrë Tajvanin me forcë në të ardhmen e afërt, por ne nuk mund ta bazojmë politikën tonë në sigurinë se kjo nuk do të ndodhë”, tha ai.Ish-kryeministri britanik tha se ndryshimi më i madh gjeopolitik i këtij shekulli do të vijë nga Kina, jo nga Rusia.
“Ne po i afrohemi fundit të dominimit politik dhe ekonomik perëndimor,” tha ai.