Tragjedia në Gllogjan/ Lirohet me kusht një nga të dyshuarit. Avokati: “Ka qenë në punë kur ka ndodhur vepra”

Taulant Broqi, avokati mbrojtës i të dyshuarit M.M për vrasjen e trefishte në Gllogjan, ka thënë se arsyeja e lirimit me kusht të klientit të tij është sepse në momentin kur ka ndodhur vrasja, i dyshuari ka qenë në vendin e tij të punës, shkruan Gazeta Insajderi.

Në një prononcim për Insajderin, Broqi thotë se me propozim të Porkurorisë, të dyshyuarit i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak për dy muaj.

“Është liruar me propozim të prokurorit të rastit për arsye që ai ka qenë në punë kur ka ndodhë vepra.”, ka thënë Broqi.

Ndërkohë dy të dyshuarve të tjerë u është vazhduar paraburgimi edhe për 60 ditë. Lajmi është konfirmuar të hënën nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Më 12 dhjetor të vitit të kaluar është arrestuar H.M. dhe dy djemtë e tij, K.M. dhe M. M. nga Gllogjani.

Në ditën e arrestimit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, tregoi se arrestimet janë kryer pas disa bastisje në disa lokacione të caktuara në lidhje me këtë ngjarje. Të arrestuarve u është konfiskuar një pistoletë dhe një pushkë kallashnikov.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona – në mesin e tyre dy nxënës – mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit.