Trajkoviq për aksionin në Shtërpcë: Arrestimet e sotme, do t’i ndihmojnë më së shumti serbët në Kosovë

Sot, gjatë një aksioni të Krimeve të Rënda kundër korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë, u arrestua ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq dhe nëntë persona të tjerë.

Arrestimet e sotme, sipas Rada Trajkoviqit, kryetare e “Lëvizjes Evropiane të Serbëve”, do t’i ndihmojnë më së shumti serbët që të heqin qafe strukturat që keqpërdorin shuma të mëdha parash. Sipas saj Lista Serbe do të duhet të gjejë mënyra për të ndihmuar, për të ndjekur penalisht njerëzit që sot cilësohen si kriminelë, shkruan gazeta Danas.

“Arrestimet nuk kanë qenë rrezik sigurie sepse nuk ka pasur situatë të ndërhyrjes me forcë. Së dyti, arrestimet janë multietnike. Këta janë njerëz që kishin mbrojte politike për një kohë të gjatë. Tani është një strukturë e re politike në Kosovë që dëshiron të arrijë liberalizimin e vizave. Pra, kjo nuk është e drejtuar kundër serbëve, përveç rastit që dikush ka vlerësuar se vetëm serbët mund të mbrojnë interesat serbe”, thotë Trajkoviq.

“Kjo nuk duhet dhe nuk do të ketë pasoja në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Serbia duhet të ndihmojë në profilizimin e njerëzve të rinj në Kosovë, pasi tani është hapur hapësira e re për opsione të tjera. Askush nuk e pyet Aleksandar Vuçiqin nëse dëshiron ta bëjë këtë, mendoj se është e natyrshme që edhe Serbia nuk i pranon ata njerëz dhe ato lidhje me mafian. Serbia, qeveria duhet të mendojë seriozisht dhe t’i zgjidhë problemet që po ndodhin, por duhet të përgjigjet edhe opozita, kështu që Amerika nuk mund të na zgjidhë gjithçka. Pres që dikush seriozisht nga opozita të dalë dhe të thotë se gjërat do t’i ndryshojnë rrënjësisht”.