Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë shoqëruar në stacionet përkatëse 3 persona në Prizren dhe 1 në Mamushë, me dyshimin se të njëjtit kanë bërë fotografimin e votës.
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi ka theksuar për “Kohën Ditore” se 2 persona janë shoqëruar nga qendra e votimit në ShFMU “Abdyl Frashëri” në Prizren, 1 person nga qendra e votimit në ShFMU “Mustafa Bakiu” dhe 1 tjetër në Mamushë, për shkak të dyshimeve për cenim të privatësisë së votimit.
Gashi ka pohuar se i dyshimti në Mamushë është shoqëruar në Polici pasi që ai dyshohet se ka postuar votën në rrjetet sociale.
“Të gjitha veprimet në këto raste janë ndërmarrë në konsultim me Prokurorin e Shtetit”, ka thënë Gashi, duke shtuar se ndaj të dyshimtëve do të zbatohen procedurat e mëtutjeshme ligjore.