Trump e quan Putin ‘të çmendur’ pas sulmit të fundit ndaj Ukrainës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump,  shprehu pakënaqësinë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, pas sulmit të fundit ajror në Ukrainë, i cili konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë që nga fillimi i luftës.

Në një reagim të rrallë, Trump u shpreh: “Çfarë dreqin i ka ndodhur? Po vret shumë njerëz.” Më vonë ai e quajti Putinin “absolutisht të çmendur”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha më parë se heshtja e Uashingtonit ndaj sulmeve të fundit ruse po inkurajonte Putinin.

Të paktën 12 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në Ukrainë gjatë natës së së dielës, pasi Rusia lëshoi 367 dronë dhe raketa, numri më i lartë në një natë të vetme që kur Putini nisi një pushtim në shkallë të plotë në vitin 2022.

Sirenat ajrore që paralajmërojnë për dronë dhe raketa u dëgjuan përsëri në shumë rajone të Ukrainës mëngjesin e së hënës.

Duke folur me gazetarët në New Jersey, Trump tha për Putinin: “E njoh prej kohësh, gjithmonë kam shkuar mirë me të, por ai po dërgon raketa në qytete dhe po vret njerëz, dhe kjo nuk më pëlqen aspak”.

I pyetur nëse po shqyrtonte rritjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Rusisë, Trump u përgjigj: “Absolutisht”. Presidenti amerikan ka kërcënuar vazhdimisht ta bëjë këtë më parë, por ende nuk ka zbatuar ndonjë kufizim kundër Moskës.