Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump thotë se sapo të marrë detyrën, ai do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifës prej 25% për “të gjitha produktet” që hyjnë në SHBA nga fqinjët Meksika dhe Kanadaja.
Në postimin e tij të së hënës mbrëma në Truth Social, ai thotë gjithashtu se këto tarifa të jashtme, të cilat janë një lloj takse, do të jenë në fuqi derisa të dy vendet të shtypin drogën dhe migrantët e paligjshëm që kalojnë kufirin, raporton BBC.
“Siç e dinë të gjithë, mijëra njerëz po enden nëpër Meksikë dhe Kanada, duke sjellë krimin dhe drogën në nivele të papara më parë”, ka shkruar Trump.
Ai gjithashtu thotë se, për mallrat që vijnë nga Kina, mbi çdo tarifë tjetër do të vendoset një tarifë shtesë prej 10%. Kjo është më e ulët se sa ka kërcënuar më parë. Në fushatë ai ka premtuar taksë prej 60%.
“Përfaqësuesit e Kinës më thanë se do të vendosnin dënimin e tyre maksimal, atë të vdekjes, për çdo tregtar droge që kapej duke e bërë këtë, por, për fat të keq, ata nuk e ndoqën këtë, dhe droga po derdhet në vendin tonë, kryesisht përmes Meksikës, në nivele të papara. më parë”, thotë ai.
Kina ka reaguar duke paralajmëruar Washingtonin se askush nuk do të fitojë një luftë tregtare.