Turizmi patriotik është një nga fjalët kyçe të këtij sezoni veror, ku ekonomia shqiptare do të mbështetet për të zbutur ndikimin e fortë të pandemisë globale.
Nga 781 mijë të huaj që shkelën kufijtë shqiptarë gjatë gjysmës së parë të vitit, rreth 300 mijë janë vizitorë nga Kosova. Ndërsa pjesa tjetër plotësohet me shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia dhe shumë pak vizitorë të huaj.
Mungesa e turistëve të huaj vihet re edhe pa nevojën e statistikave, ku automjetet që përshkojnë Qafën e Llogorasë mbajnë vetëm targa shqiptare.
460 kilometra të përshkuara për të mbërritur nga Suhareka në skajet më jugore të bregdetit shqiptar. Një rrugë që për shumëkënd mund të jetë e lodhshme, por për këta motoristë të klubit Brigada 123, që mban emrin e batalionit të UÇK, ndihet si një kontribut që i bëhet vendit.
Ndikimi i turizmit patriotik është shumë i madh edhe në një vit normal, ku nga 3.2 milionë netë qëndrime të regjistruara, 1 milionë janë pushues të brendshëm dhe rreth 600 mijë i takojnë turistëve nga Kosova. Me një shpenzim mesatar ditor prej 43 eurosh, llogaritet se pushuesit nga Kosova sjellin mbi 100 milionë euro në vit në ekonominë shqiptare.