Policia Kufitare në Jalë ka gjobitur me 1 milionë lekë të vjetra pronarin e gomones që rrezikoi jetën e pushuesve duke shkuar me mjetin lundrues në breg.
Gjithashtu uniformat blu bëjnë me dije se mjeti lundrues është bllokuar.
“Në vijim të kontrolleve në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe të pushuesve, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me ata të Njësisë Policore Detare, pas informacioneve të marra se një mjet lundrues kishte shkelur perimetrin e sigurisë, kanë shkuar menjëherë në zonën e Jalës ku kanë konstatuar mjetin lundrues gomone që lëvizte jashtë perimetrit të caktuar për këtë aktivitet.
Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bërë bllokimin e mjetit lundrues, si dhe kanë ndëshkuar drejtuesin e tij, shtetasin I. B., me masë administrative 100 000 lekë të rinj”, njfton policia.
Sipas policisë kontrollet do të vijojnë në të gjithë hapësirën ujore të vendit me qëllim rritjen e sigurisë së pushuesve që kanë zgjedhur bregdetin për të kaluar ditë e nxehta të verës.