Ka ndërruar jetë në spialin e Shkodrës Anila Ndoka, e cila më 18 shkurt u qëllua me armë nga bashkëjetuesi i saj Kolë Manaj, 34 vjeç.
Lajmi konfirmohet nga gazetari i Vizion Plus, Bepin Kolvata.
Më 18 shkurt, 34-vjeçari Manaj, pasi qëlloi me plumb në kokë 44-vjeçaren, i dha fund jetës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:15 në lagjen “Mark Lula”, brenda automjetit të Manaj, fare pranë vendit të punës së Anilës.
Mësohet se prej javësh Prendushi kishte vendosur të ndahej nga 34-vjeçari Kolë Manaj, me të cilin prej 5 vitesh bashkëjetonte, por marrëdhënia e tyre ishte më e hershme.
Manaj nuk e ka pranuar këtë fakt dhe disa herë kishte kërcënuar se do të merrte një veprim ekstrem ndaj vetes nëse ajo ndahej me të.
44-vjeçarja ka qenë e bindur në vendimin e saj për t’i dhënë fund kësaj marrëdhënieje, për arsye që familjarët nuk i dinë. Ditën e ngjarjes, i riu, sipas burimeve policore, ka njoftuar një nga motrat e tij se do t’i jepte fund jetës, e mësohet se po ashtu ka sinjalizuar edhe bashkëjetuesen.
Kjo e fundit, sapo ka marrë mesazhin, ka shkuar ta takojë nga vendi i saj i punës, disa metra më tutje, brenda automjetit të parkuar në brendësi të një blloku pallatesh në lagjen “Mark Lula”.
Aty çifti, siç duket, ka shkëmbyer një bisedë me tone të ashpra, e cila ka përfunduar tragjikisht, pasi Manaj, në kushte të rënduara psikike, ka shtënë në drejtim të 44-vjeçares me një plumb në kokë, e më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij.
Grupi hetimor, përveç marrjes në pyetje të familjarëve, po bën këqyrjen e telefonave të viktimës dhe 44-vjeçares për të zbardhur mesazhet e plota dhe bisedat mes tyre.
Anila Ndoka Prendushi, prej më shumë se 10 vitesh, punonte në qendrat komunitare të Shkodrës me shtresat në nevojë, kryesisht gra e vajza të dhunuara, apo shtresa të margjinalizuara.
Paradoksalisht, kjo betejë e saj përfundoi duke rënë pre e një situate të ngjashme, ku bashkëjetuesi ngriti armën drejt saj.