Ndonëse zgjedhjet vendore të 14 majit nuk janë certikikuar ende plotësisht pasi vijon procesi i ankimimeve, të paktën në dy njësi vendore do të kemi përsëritje të procesit. Në Rrogozhinë për shkak se zgjedhjet nuk u certifikuan nga Kolegji dhe në Kukës për shkak se kryebashkiaku Safet Gjici u njoftua se është shkarkuar, njoftim i cili ka mbetur vetëm deklarativ pasi akti zyrtar nuk është publikuar.
Vendimi për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, vijon të jetë vetëm deklarataiv. As në faqen e Këshillit të Ministrave e as në Fletoren Zyrtare nuk është zbardhur një akt i tillë nga ana e ekzekutivit shqiptar, ndonëse publikisht u njoftua se ishte ndërmarrë një veprim i tillë.
Ky akt zyrtar është i domosdoshëm në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Kukësit. Procedura ligjore parashikon se Këshilli i Ministrave duhet të njoftojë zyrtarisht zyrën e Presidentit të Republikës dhe më pas ky i fundit duhet të dekretojë një datë për zgjedhje të parakohshme vendore: “Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”.
Krahas Kukësit, zgjedhje do të ketë përsëri në Bashkinë e Rrogozhinës ku ndryshe nga rasti i Safet Gjicit, për këtë bashki nuk pati certifikim të rezultatit përfundimtar sepse Kolegji Zgjedhor konstatoi pavlefshmëri në një qendër votimi që ndikonte në rezultatin final, çka do të thotë që zgjedhjet për këtë njësi nuk përfunduan asnjëherë dhe të drejtën e caktimit të datës e ka KQZ, ku sipas projektvendimit, pritet të jetë data 23 korrik.