Nëse këtë verë keni planifikuar një udhëtim për në Kosovë, ju lutemi që patjetër të merrni në konsideratë se: Ministria e Jashtme Federale edhe më tej paralajmëron për të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme (përfshirë pushimet, pushimet në vendlindje, vizitat familjare etj.) për në Kosovë.
Kjo vlen aktualisht deri më 31 gusht 2020. Kosova nga institucionet kompetente gjermane aktualisht kategorizohet si rajon me rrezikshmëri për përhapje të pandemisë Covid-19.
Nëse vendosni të udhëtoni jashtë vendit, përkundër paralajmërimit për udhëtim, ju lutem keni parasysh që ambasadat dhe konsullatat gjermane jashtë vendit nuk mund t’ju ndihmojnë gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit dhe/ose masa për kufizime të jetës publike.
Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Kosovë nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër tjerash ekzistojnë kapacitete tejet të vogla për trajtim mjekësor intensiv dhe mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19. Në rast të kthimit, karantinë 14-ditore: Nëse tani udhëtoni për në Gjermani – me aeroplan, apo nëpërmjet rrugëve tokësore me autobus ose veturë private – dhe keni qëndruar në Kosovë brenda 14 ditëve të fundit para udhëtimit, jeni të detyruar që menjëherë pas kthimit të lajmëroheni tek insitucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtroheni një vetë-izolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh.
Detyrimi për karantinë shtëpiake/vetë-izolim vlen për të gjithë nënshtetasit (edhe për ata gjermanë) dhe pa marrë parasysh qëllimin e udhëtimit. Gjatë kohës së karantinës shtëpiake ju keni të drejtë të dilni nga banesa vetëm në konsultim dhe me leje të institucionit vendor shëndetësor. Një shkelje e këtij detyrimi mund të ketë për pasojë gjoba të larta.
Nëse dhe eventualisht ku është e mundur të bëhet një test për Covid-19 pas hyrjes në Gjermani, i cili do të shkurtonte kohën e izolimit, edhe për këtë vendos institucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit. Në Kosovë aktualisht nuk ka laboratorë, të cilët kryejnë teste për Covid-19, të cilat njihen në Gjermani.