Autoritetet ukrainase kanë konfirmuar se 12 serbë nga Bosnja dhe Hercegovina janë të dyshuar për krime lufte të kryera në territorin e Ukrainës, por identiteti i tyre i plotë dhe vendndodhja aktuale mbeten të panjohura.
Sipas përgjigjes së Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Ukrainës për portalin Detektor, dërguar më 14 nëntor 2024, ka prova të bazuara që këta persona kanë marrë pjesë në krime lufte si pjesëtarë të kompanive private ushtarake ruse, përfshirë Wagner dhe Redut.
Ukraina thotë se ka kërkuar informacione nga autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës më shumë se një vit e gjysmë më parë, por deri tani nuk ka marrë asnjë të dhënë.
Në shkurt 2024, Ukraina i ka dërguar Bosnjës një kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare, duke kërkuar: informacion për vendbanimet dhe gjurmimin e 12 të dyshuarve, marrjen në pyetje të tyre si dhe kopje të dokumenteve zyrtare.
Por Prokuroria e Bosnjës ka njoftuar se kërkesa nuk mund të zbatohet pasi asnjëri prej tyre nuk gjendet në adresat ku janë të regjistruar.
“Deri sot nuk është marrë asnjë vendim për këta shtetas. Procedurat paraprake vazhdojnë,” ka bërë të ditur Prokuroria e Ukrainës.
Sipas EUROPOL-it, këta 12 shtetas serbë të Bosnjës janë pjesë e një grupi prej 654 personash të dyshuar për përfshirje në krime të rënda lufte në Ukrainë si pjesëtarë të paraushtarakëve rusë.
Shtetasit e tjerë të dyshuar vijnë nga Ukraina, Moldavia, Kazakistani, Uzbekistani, Turkmenistani, Azerbajxhani, Armeni dhe vende të tjera.
Krimet e dyshuara përfshijnë: ekzekutime të civilëve, vrasje të të burgosurve të luftës, dhunë seksuale, përdorim të armëve të ndaluara, sulme ndaj qyteteve ukrainase.
Gjatë operacionit të përbashkët me Ukrainën dhe Moldavinë u kryen mbi 70 bastisje, ku u gjetën armë zjarri, armë të ftohta, pajisje elektronike dhe uniforma të paravojskave.
Prokuroria e Bosnjës pretendon se nuk është njoftuar nga EUROPOL-i për grupin e 12 shtetasve të saj.
Ajo thotë se do të kërkojë informacione shtesë nga agjencitë europiane dhe është e gatshme të bashkëpunojë nëse paraqiten prova të reja.
Ligji penal i Bosnjës e ndalon rreptësishtë pjesëmarrjen në konflikte të huaja, përfshirë angazhimin në formacione ushtarake apo paraushtarake jashtë territorit të vendit. Për këtë vepër parashikohet të paktën tre vjet burg.
Deri më tani, i vetmi shtetas i Bosnjës i gjykuar për luftim në Ukrainë ka qenë Gavrilo Steviq, i cili u shpall i pafajshëm.
Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…
Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…
Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…
Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…