Ukraina po përgatitet të sulmojë gadishullin e Krimesë të Detit të Zi, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014 dhe është shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi, sipas një zyrtari qeveritar.
“Ne planifikojmë të kthejmë Krimenë dhe po flasim me Perëndimin nëse mund të përdorim armët e tyre për të shënjestruar forcat ruse të stacionuara në gadishull”, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes Volodymyr Havrilov për The Times gjatë një vizite në Londër.
“Herët a vonë do të kemi burime të mjaftueshme për të sulmuar rusët në Detin e Zi dhe Krimenë. Krimea është territor ukrainas dhe prandaj forcat ruse janë objektivi ynë legjitim,” tha ai pas pjesëmarrjes në një panel diskutimi në kryeqytetin britanik.
Ai tha se Krimea është e mundur të kthehet ose me rrugë diplomatike ose ushtarake. “Duhet të mendojmë me kujdes për rrugën e duhur. Rusia patjetër do të duhet të largohet nga Krimea nëse dëshiron të vazhdojë të ekzistojë si shtet”, shtoi Havrilov, i cili foli edhe për kërcënimin e flotës ruse të Detit të Zi për forcat ukrainase.
“Ne kemi aftësi kundër anijeve dhe herët a vonë do të godasim flotën ruse,” tha ai.
“Ne jemi të gatshëm t’i shënjestrojmë ata përgjatë gjithë Detit të Zi nëse kemi mundësi,” tha ai.
“Flota e Detit të Zi është një kërcënim i përhershëm për ne. Duke marrë parasysh teknologjitë dhe aftësitë e reja që po marrim, ne duhet të bëjmë diçka për këtë rrezik. Hapi i parë ishte operacioni në ishullin e gjarpërinjve. Ne po marrim aftësi kundër anijeve dhe herët a vonë e gjithë flota do të bëhet objektivi ynë. Kjo është e pashmangshme sepse ne duhet të garantojmë sigurinë për njerëzit tanë”, tha Havrilov.