Prej javësh Ukraina ka nisur një kundërofensivë ndaj Rusisë në territoret e uzurpuara në lindje dhe jug të vendit, ku thuajse 7 mijë kilometra katrorë janë rifituar nga Kievi, veçanërisht në zonën e Donetskut.
Me çlirimin e zonave dhe përzënien e ushtarëve rusë (rreth 6 mijë syresh), Ukraina ka rimarrë jo vetëm kontrollin e qëndrave të rëndësishme si Lyman-i në Donetsk, por ka vënë duart edhe mbi municionet ushtarake, të cilat për shkak të mësymjes, mbetën në duart e rusëve.
Prej këtyre të fundit, janë edhe disa bomba të prodhimit kinez, 60mm, të cilat në fillim u besuan se Kina ia kishte furnizuar Rusisë, si ndihmë në përpjekjen e Kremlinit për të vijuar agresionin ndaj Ukrainës.
Mirëpo, më pas, është bërë me dije se këto municione kineze, mund të jenë ndihmat që Shqipëria i ka dhënë ukrainasve.
Fakti se Tirana zyrtare e ka bërë këtë akt, është i pamohueshëm, pasi e ka konfirmuar vetë ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhakçka, e cila më 23 gusht deklaroi se vendi ka qenë ndër të parët, që i ka dërguar municione Ukrainës.
Dyshimet se pikërisht këto bomba mund të jenë donacion i Shqipërisë, është për faktin se ato janë modele të vjetra të vitit 1975, kohë kur Shqipëria kishte ende raporte të mira nën diktaturën komuniste me regjimin e Kinës.
Në sajë të bashkëpunimit mes vendeve, pjesë e ndihmave që vinte nga Kina ishin edhe pakot ushtarake, në të cilat kishte bomba të këtij kalibri.
Një prej faqeve më të mëdha të gjurimimit të armëve në Ukrainë gjithashtu, Ukraine Weapon Tracker, e cila numëron mbi 700 mijë ndjekës në median sociale Twitter, shkruan se është e bindur se këto resurse ushtarake janë dërguar nga Shqipëria.
E njëjta gjë ndodhi edhe një muaj më parë, kur Ukraina rimori disa territore nga rusët.