Përkundër mohimit nga avokati Besnik Berisha në llogarinë e tij në Facebook dhe një videoje nga Dubai që provon të tregojë vendndodhjen, Albanian Post ka konfirmuar se disenjatori kosovar, Valdrin Sahiti, është ndaluar në Turqi.
Zyra Ndërlidhëse e Policisë së Kosovës ka pranuar një informatë nga autoritetet e sigurisë në Turqi, se Sahiti, është ndaluar për narkotik brenda territorit të Turqisë.
Burime shumë kredibile brenda Policisë së Kosovës, kanë thënë për Albanian Post se para disa dite, kanë pranuar një informatë nga autoritetet turke rreth Sahitit.
Por, në atë njoftim që kanë pranuar autoritetet kosovare nuk është e specifikuar nëse Sahiti aktualisht është në paraburgim apo jo, nuk specifikohet koha e qëndrimit të ndalimit apo ndonjë mase tjetër e sigurisë të cilën mund ta kenë ndërmarrë autoritet turke ndaj tij.
“Po presim nga autoritetet turke dokumentet e kompletuara të rastit në formë zyrtare”, ka thënë burimi.
“Ne e kemi marrë si informatë që ai person është ndaluar për narkotik. Tash, a është dërguar në mbajtje, a është dërguar në paraburgim a jo, apo çka ka ndodhur me të, ne nuk kemi detaje të tjera. Ata kanë procedura të tjera, nuk i kanë si ne në Kosovë”, ka thënë burimi brenda Policisë së Kosovës, për Albanian Post.
“Ata (Turqia) i kanë dërguar informata për emër të tij”, vazhdon më tej burimi.
Kush e di saktë se çfarë ka ndodhur me Valdrin Sahitin në Turqi?
Institucioni i cili do të duhej të dilte publikisht me njoftimin se çfarë ka ndodhur me shtetasin kosovar në një vend tjetër, këto ditë, është Ministria e Punëve të Jashtme.
Në mënyrë hierarkike, autoritetet turke njoftojnë ambasadën e Kosovës (në këtë rast ambasadën e Kosovës në Turqi), e cila më pas i përcjellë të dhënat në Ministri të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Por, nga ky institucion deri tani askush nuk ka deklaruar asgjë edhe pse redaksia e Albanian Post ka kërkuar përgjigje.
Pse është mbyllur MPJ për këtë rast?
Disenjatori Valdrin Sahiti përveç yjeve botërore, ka veshur dhe kuruar edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, e cila edhe i ka dhënë pasaportën diplomatike Sahitit.
Siç dihet tashmë presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla qëndrojnë në një linjë partie, kjo e fundit, ka shumë gjasë, që po mundohet të mbrojë autoritetin e presidentes në këtë rast dhe vendimin e saj për ta pajisur Valdrin Sahitin me pasaportë diplomatike.
Avokati Besnik Berisha, është lajmëruar rreth 24 orë pas publikimit të lajmit se Valdrin Sahiti është ndaluar, duke mohuar kategorikisht se çdo gjë e kësaj natyre e shkruar nga mediet “është e pavërtetë”.
“Edhe tjetra që ka thënë avokati, ai (Besnik Berisha) ka thënë me mençuri”, vazhdon më tej burimi brenda policisë së Kosovës, “se në kohën kur ai (Valdrin Sahiti) është ndalë, deri tani ai ka mund me i majtë, po e zëmë 72 orë edhe të lirohet. Dhe tani normal që ai është i lirë e në Dubai, sepse e ka kry”.
“Ne e kemi pasur informatën nga zyra ndërlidhëse një ditë para se të filloj të publikohet lajmi nëpër medie”, ka thënë burimi për Albanian Post, brenda Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës nuk mund të konfirmoj këtë rast dhe të tregoj se çfarë ka ndodhur më saktë me Valdrin Sahitin, pasi që, kjo, është kryekëput mandat dhe përgjegjësi e Ministrisë me të cilën udhëheqë Donika Gërvalla.