Reperi 32-vjeçar, Toomaj Salehi, është dënuar me vdekje nga autoritetet në Iran, pas përfshirjes së tij në protestat që përfshinë vendin në vitin 2022 pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.
Këngëtari u arrestua, u mbajt në izolim dhe dyshohet se u torturua, ndërsa tani avokati i tij ka njoftuar se një gjykatë në Isfahan ka anuluar vendimin e Gjykatës së Lartë, duke konfirmuar aktgjykimin origjinal dhe duke vendosur dënimin me vdekje.
“Është lëshuar një urdhër për ekzekutimin e Toomaj Salehi”, ka shkruar në platformën X avokati i reperit, Amir Raesian.
Reperi shprehu mospajtimin e tij ndaj regjimit iranian dhe kundër qeverisë në tekstet e tij. I liruar shkurtimisht nga burgu, vitin e kaluar, ai u arrestua përsëri pasi u shfaq në një video që zbulonte se ishte torturuar dhe vendosur në izolim për 252 ditë pas arrestimit të tij në tetor 2022.
Politikanët, aktivistët dhe organizatat joqeveritare kanë sfiduar Republikën Islamike, lidhur me dënimin me vdekje të reperit.
“Unë dënoj ashpër vendimin e autoriteteve iraniane për të dënuar me vdekje muzikantin Toomaj Salehi. Qeveria italiane kundërshton dënimin me vdekje, në çdo vend dhe rrethanë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e njeriut në botë”, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.