Në kuadër të aktiviteteve të rregullta për monitorimin dhe inventarizimin e biodiversitetit në zonat e mbrojtura të natyrës, zyrtarët e IKMN-së në bashkëpunim me ata nga DAPK “Sharri”, përmes kamerave kurth të vendosura kohë më parë në zonën e malit Oshlak, brenda territorit të Parkut Kombëtar “Sharri”, kanë konstatuar praninë e disa llojeve të gjitarëve si: Ari i murrmë (Ursus arctos), Kaprolli (Capreolus capreolus), Derri i egër (Sus scrofa), Ketri (Sciurus vulgaris).
“Është me rëndësi të përmendet fakti se këtë herë vërehej qartë prania e të vegjëlve të ariut të murrmë me çka mund të konstatohet se kjo zonë paraqet kushte të favorshme për shumimin dhe rritjen e të vegjëlve jo vetëm të ariut, por edhe llojeve tjera të hasura në kamerat kurth në këtë lokalitet.
Disa kamera të tilla janë vendosur tash e sa kohë në pjesë të ndryshme të parqeve kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”, me të vetmin qëllim të monitorimit të gjendjes së faunës dhe pranisë së llojeve të ndryshme të shtazëve të egra.
Këto kamera deri më tani kanë siguruar të dhëna të besueshme për praninë e llojeve të ndryshme të shtazëve të egra në këto zona të mbrojtur”, ka njoftuar Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.