Vetëvendosja në Shqipëri fton qytetarët t’i bashkohen protestës së sotme në Tiranë

Që nga dje situatë e tensionuar po vazhdon në Tiranë, kjo si shenjë revolte ndaj rrënimit të objektit të Teatrit Kombëtar.

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Shqipëri, iu kanë bashkangjitur protestave, derisa janë arrestuar disa prej tyre.

E kjo qendër, i ka bërë thirrje qytetarëve atje, që të bëhen pjesë e protestës që do të mbahet sot në orën 16:30.

Ky është njoftimi:

Sot së bashku me qytetarët në protestë për Teatrin!

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri i bashkangjitet protestës së sotme në orën 16:30 të thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës e të Shqipërisë që të protestojnë kundër shkatërrimit të paligjshëm dhe barbar të Teatrit Kombëtar si pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare.

Me anë të kësaj proteste Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri bën thirrje që të ndalen menjëherë veprimet e paligjshme të Qeverisë dhe të Bashkisë së Tiranës në zonën e Teatrit Kombëtar. Asnjë centimetër katror i Teatrit nuk duhet tjetërsuar. Ekzistojnë të gjitha mundësitë arkitektonike dhe ndërtimore që kompleksi i Teatrit Kombëtar të rindërtohet me arkitekturën dhe materialet origjinale dhe të vihet në funksionim me kushtet më bashkëkohore për shfaqjet artistike.

Veprimet e djeshme antikushtetuese, antiligjore dhe antikombëtare e zhveshën pushtetin aktual nga çdo grim legjitimiteti. Andaj kërkojmë shpërndarjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe kërkojmë t’i hapet rrugë shprehjes së vullnetit të popullit.

Për shkeljet flagrante të Kushtetutës dhe të ligjit kërkojmë që:
1. Prokuroria të procedojë penalisht të gjithë përgjegjësit e dhunës në pushtetin qëndror dhe vendor;
2. Policia e Shtetit të ndalojë dhunën fizike dhe psikologjike ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese;
3. Të lirojë të gjithë të arrestuarit e protestës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Ata që sot rezistojnë, nesër fitojnë!