Kjo është aktualisht situata në rrugën e Arbrit, në aksin Klos-Qafa e Murrizit. Pikërisht në këtë vend, prej orës 14:00, një autokolonë me automjete ka mbetur e bllokuar. Gazetari Neki Feta raporton se vetëm gjatë mbrëmjes ka nisur disi lëvizja e automjeteve, por në mënyrë shumë të ngadaltë. Ndonëse në zonë ndodhen borëpastrueset e shërbimet e policisë, autokolona mbetet në vend.
“Është një autokolonë rreth 2 kilometra me mjete të cilat ecin shumë ngadalë, për të mos thënë fare”, raporton gazetari Neki Feta.
Por përveç dëborës, problemi kryesor i krijimit të kësaj autokolone, sipas gazetarit, por edhe disa prej shoferëve që ai mori në intervistë, janë bërë automjetet që nuk janë të pajisur me goma dimri, që lëvizin pa zinxhirë apo edhe futja në kolonë për dy. Për pasojë, si policia ashtu sikurse edhe borëpastrueset nuk po arrijnë që të normalizojnë situatën dhe të rikthejnë qarkullimin normal.
“Prej më shumë se 1 ore që jemi në këtu, automjetet nuk kanë lëvizur as 10-15 metra… Ka prani të forcave policore, janë 3 postblloqe të policisë rrugore, dy janë të stacionuara dhe një postbllok me 3 punonjës të ndarë po bëjnë orientimin e mjeteve, duke hapur njërin krah e më pas krahun tjetër për të lëvizur. Gjithsesi, shoferët e papërgjegjshëm dhe gomat verore, bëjnë sërish bllokimin e rrugës edhe pse punonjësit e policinë janë në rrugë e kanë të pamundur t’i disiplinojnë. Janë shoferët që futen në kolonë për dy dhe shpeshherë bllokojnë dhe rrugën”, raporton gazetari Feta.
Këtë e dëshmon edhe një prej shoferëve…
Përse është bllokuar (rruga)?
-Për Zotin ndoshta është gjynah me e thënë, por është mungesë aftësie.
Ju mendoni se është për shkak…
-Jo nuk mendoj, e shoh. Sepse ta kesh makinën me zinxhirë, e të kesh frikë me zbrit. Zbrit mër vlla të ta zbres unë. Nuk dua t’ia le fajin askujt, është mungesë aftësie e disa njerëzve.
Borëpastruese e ka pasur?
-Ka pasur borëpastruese, po si ta zejë unë kështu (rrugën), si do kalojë, ku do shkojë ajo borëpastruesja? Borëpastruese, kripëhedhëse, të gjitha janë, po ku do kalojë ajo? Fajin e kemi ne. Shihe këtu rreshti i dytë, me çfarë të drejte ma zë rrugën? Mungesë kulture e jona, mungesë logjike e jona. Rri në rreshtin tënd, kur të hapet për të gjithë… Jo, o gjeta vend bosh unë, do futem.