83.5 kilogramë drogë, që dyshohet të jetë e llojit heroinë janë sekuestruar në Kosovë.
Droga është kapur në Terminalin Doganor të Hanit të Elezit nga autoritetet ligjzbatuese. Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizaj, Shukri Jashari, deri më tani janë arrestuar shtatë persona.
Ai tha se të arrestuarit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, ndërkaq dy të tjerë janë ende në kërkim.
Jashari tha se droga u gjet gjatë kontrolleve të doganierëve në një maune që ishte nisur nga Turqia.
“Gjatë kontrollit të Doganës së Kosovës është dyshuar se në mjetin transportues, përveç mallrave të ndryshme, kanë qenë edhe 32 reflektorë, ku në to të paketuara kanë qenë nga pesë qese, të dyshuara me substancën e llojit heroinë – gjithsej 160 paketime”, tha Jashari në një konferencë për media.
Sipas tij, destinacioni i drogës, që ishte fshehur në disa reflektorë, ishte Prishtina.