Ndërsa autoritetet shëndetësore të Hubei në Kinë kanë raportuar për 17 vdekje të tjera nga koronavirusi në nivelin krahinor, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 41 kurse numri i të infektuarve ka shkuar në pothuajse 1.300, alarmi I kuq është ngritur në Europë.
Tre raste janë konfirmuar në Francë, të parat të identifikuara zyrtarisht në kontinentin e vjetër.
Njoftimi është bërë nga ministrja franceze e shëndetësisë Agnes Buzyne duke shtuar gjithashtu se “Me siguri do të ketë të tjerë”. Vetëm një ditë më parë ministrja pati deklaruar se Franca ishte e pa infektuar.
Një rast është regjistruar në Bordo, në jug-perëndim të vendit, kurse dy të tjerë në Paris. Dy nga të prekurit nga koronavirusi kishin pak ditë që ishin kthyer nga një udhëtim në Kinë.
Një vaksinë e mundshme e koronavirusit e porsamenduar mund të testohet te njerëzit në kohë rekord, më pak se tre muaj, në krahasim me 20 muaj të vaksinës eksperimentale Sars.
Nga Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive në SHBA thonë se një vaksinë e mundshme e koronavirusit mund të jetë gati për tu testuar te njerëzit në kohë rekord, më shpejt se tre muaj, më shpejt se vaksina e prodhuar për të luftuar SARS.
Imunologu Europian Pasi Penttinen i Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve thotë se “Nëse keni simptoma serioze të frymëmarrjes, kollë, ethe, gulçim dhe keni qenë në qytetin e Ëuhan në 14 ditët e fundit ose keni pasur kontakte me dikë që është infektuar, ju mund të jeni i infektuar me virusin kinez.
Ndërsa në Itali flitet për një rast të dytë dyshuar në Parma, pas atij që rezultoi pozitiv në Bari, kryeqytetet e Europës janë në gadishmëri kurse në Britani 14 rastet e dyshuara po hetohen.