Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në dy komunat me shumicë shqiptare, Tetovë dhe Çair ka trazuar politikën e rajonit, duke sjellë reagime të ashpra në Maqedoni të Veriut, Serbi, por edhe Kosovë.
Ai ka qëndruar atje me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami. Në Çair, Kurti ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit Adem Demaçi, e ndërsa në Tetovë është pritur me flamuj e simbole kombëtare shqiptare.
Pas kësaj vitize, ka reaguar presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili ka kërkuar që organizatorët të sanksionohen për “provokime nacionaliste”.
”Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. I bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë t’i kryejnë procedurat e parapara, nënvizoi Pendarovski në reagim.
Nga ana tjetër, presidenti Serb, Aleksandar Vuçiç e ka konsideruar si “skandali i skandaleve”.
“Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ishte skandal i skandaleve. Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja, e Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe kryeministër i Tetovës, ndër të tjera”, tha Vuçiç në një intervistë për mediat.
Nuk kanë munguar as reagimet në Kosovë, ku Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se Kurti po mashtron shqiptarët.
“Të dashur bashkombas shqiptarë në Maqedoni të Veriut, mos i besoni mashtruesit Albin Kurti. Në Kosovë i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet, përfshirë edhe rrugën e Plavës. Pasi nuk mund t’i gënjej më kosovarët, paska ardhur t’ju mashtrojë ju, për rrugën Tetovë – Prizren”, shkroi Haradinaj në rrjete sociale.
Gjithashtu, Frashër Krasniqi nga Partia Socialdemokrate ka kritikuar shefin e ekzekutivit, sipas tij, për prishje të raporteve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Sot prishet edhe me Maqedoninë. Dhe dikush do të thoshte ‘për arsye kombëtare’… e pastaj ti e kujton që para pak kohe është prishur edhe me Shqipërinë. E kujton që para pak muajsh, bash në Maqedoni, e pranoi Asociacionin. Dhe të kujtohet që edhe Amerikën e BE-në i qoi në prehërin e Serbisë… e militanti prapë flet për kombin”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Mirëpo, përtej kundërshtive, ka pasur edhe nga ato që e kanë mbështetur, të cilët u mblodhën në një marshim me pankarta në mbrojtje të Kurtit.
“Marshojmë për Qeverinë, në mbrojtje të republikës dhe sovranitetit”, thuhej në një prej pankartave të protestuesve.
Irani ka lëshuar raketa balistike drejt bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn, pasi Shtetet…
Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë video të prodhuara me inteligjencë artificiale, në stilin…
Izraeli vendosi fshehurazi njësi elitare ushtarake dhe të inteligjencës në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin,…
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka…
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të…
Gjashtë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe…