Fituesi i zgjedhjeve në Kosovë është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje e cila ka nisur tashmë bisedat për koalicion me LDK’në edhe pse rezultati nuk është certifikuar ende. Por, të martën kandidatja e LDK’së për Kryeministre Vjosa Osmani ka bërë paraqitje befasuese në Shtëpinë e Bardhë ku është pritur nga zyrtarë të Këshillit për Siguri Kombëtare. Çfarë sinjali po çojnë amerikanët me këtë ftesë mbetet të shihet në ditët në vijim.
Osmani, me anë të një postimi në Facebook, bëri të ditur se aty është pritur nga John Erath, që është Drejtor për Europë në Shtëpinë e Bardhë.
“Kënaqësi të pritem sot në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, nga z.John Erath, Drejtor për Evropë”, tha Osmani.
“Patëm diskutime shumë produktive rreth prioriteteve dhe sfidave që e presin Kosovën gjatë muajve e viteve në vijim”, shtoi ajo.
Kosova është në pritje të formimit të një qeverie të re që do të përballet me shumë sfida, e njëra ndër to është edhe dialogu me Serbinë. SHBA tani ka bërë të ditur se do të përfshihet në këtë dialog dhe ka emëruar Richard Grenellin si ndërmjetësues special.
Dialogu Kosovë-Serbi ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe është i drejtuar nga BE’ja. Kjo e fundit ka bërë të ditur se po u arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve nuk do vazhdohet rruga e integrimeve europiane.